Qeveria e shkarkoi Shpend Tahirin, drejtorin e burgut “Idrizovë”, ndërsa në vend të tij u emërua Zoran Jovanovski. Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, drejtori i ri Jovanovski është një kuadër profesional që ka ndjekur disa trajnime në vende të ndryshme.
“Për u.d. drejtor është emëruar gjeneralmajor Zoran Jovanovski, i cili ka një karrierë të pasur. Ai u emërua me sugjerimin tim.
Gjatë karrierës së tij profesionale ka trajnime në akademinë e policisë në Luiziana, të organizuara nga SHBA, ka ndjekur trajnime në Frankfurt të Gjermanisë, ka ndjekur trajnime të organizuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-ve, si dhe ka ndjekur trajnime në Irlandën Veriore, Turqi dhe Angli. Ky është një profesionist i lartë”, tha Kovaçevski.
Shkarkimi i Tahirit vjen në të njëjtën ditë kur u zbulua se brenda burgut ishte zbuluar një tunel, i hapur nga të dënuarit që përgatiteshin për arratisje. Thuhet se të burgosurit kanë hapur një tunel 60 metra dhe se e gjithë kjo është bërë në 4-5 muajt e fundit./Telegrafi/