Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka shfuqizuar një vendim të vitit 2020 për përbërjen e Bordit drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore (FSSH).
Kryeministri Albin Kurti, para ministrave të kabinetit qeveritar, tha se me këtë vendim i hapet rrugë përbërjes së re në Bordin e FSSH-së.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e arsyetoi vendimin për “shkak të ndryshimit të rrethanave ligjore dhe faktike që kanë çuar te pamundësia e funksionimit të Bordit të FSSH-së”.
Ministri Latifi rreth dy javë më parë pati paralajmëruar se do të ketë ndryshime serioze në këtë bord. Kjo pas raportimeve për keqpërdorime me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. /Telegrafi/