Telegrafi

Qeveria rriti shpenzimeve vjetore për 70 milionë euro

Kjo vlerë financiare është më e lartë për 70 milionë euro sesa ajo e miratuar në Kuvend në Ligjin e buxhetit 2011, sipas të cilit Qeveria ka planifikuar të shpenzojë 1 miliard e 434 milionë euro në përgjithësi.

Ky ndryshim e rrit vlerën e planifikuar të deficitit financiar në fundvit. Në Ligjin për buxhetin vlera e përgjithshme e deficitit financiar është paraparë të jetë 226 milionë euro. Sipas ndryshimeve të paraqitura në raportin e përkohshëm të shpenzimeve janar-maj 2011, vlera përfundimtare e deficitit pas rritjes së totalit të shpenzimeve pritet të kalojë në 296 milionë euro pas prishjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, raporton Koha.

Vlera financiare e deficitit mund të shkojë deri në 450 milionë euro për shkak se Qeveria Thaçi e ka humbur të drejtën e tërheqjes së 156 milionë eurove të kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në Ligjin për buxhetin, me po të njëjtat mjete ishte planifikuar të bëhej mbulimi i pjesshëm i deficitit financiar vjetor.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë qenë të pakontaktuar të hënën. Ndërkohë, njohësit e proceseve ekonomike e vlerësojnë si negativ ndryshimin e vlerës së shpenzimeve vjetore nga ana e Qeverise për faktin se niveli i të hyrave ka mbetur në të njëjtën vlerë, sikurse në Ligjin për buxhetin vjetor. /Telegrafi/