Site icon Telegrafi

Qeveria rrit shpenzimet për paga dhe mëditje

Sipas Kornizës makro-fiskale të buxhetit 2016, shpenzimet për paga dhe meditje për vitin 2016 janë paraparë të jenë 548.3 milionë euro, shifër kjo që paraqet një ngritje prej rreth 2.4 për qind apo 13 milionë euro më shumë në krahasim me shpenzimet e planifikuara për vitin 2015. Shpenzimet për paga dhe mëditje për vitin 2015 janë 535.3 milionë euro, ndërsa për vitin 2014 ishin 485.2 milionë euro.

Si pjesëmarrje në bruto prodhimin vendo (BPV), kjo kategori e shpenzimeve në buxhetin e propozuar për vitin 2016 shënon rënie në 9.2 për qind nga 9.4 për qind sa ishte përgjatë vitit 2015 si rezultat i ngritjes më të shpejtë të rritjes ekonomike. Shpenzimet për paga dhe mëditje si pjesëmarrje në BPV planifikohen të bien përgjatë dy viteve të ardhshme 2017 dhe 2018, për të shënuar 8.9 për qind dhe 8.6 për qind respektivisht në raport me BPV-në.

Ndërsa te kategoria e shpenzimeve subvencione dhe transfere, e cila përfshinë kategorinë e transfereve sociale dhe subvencioneve për ndërmarrjet publike, gjatë vitit 2016 pritet të arrijë vlerën prej 449.3 milionë euro, duke shënuar një ngritje prej rreth 5.5 për qind krahasuar me vlerën e buxhetuar për vitin 2015.

“Si pjesëmarrje në BPV, kjo kategori gjatë vitit 2016 pritet të arrijë nivelin prej 7.5 për qind të shpenzimeve të përgjithshme krahasuar me 6.6 për qind dhe 7.5 për qind sa ishte e planifikuar gjatë vitit 2014 dhe 2015 respektivisht. Kjo rritje në transferet sociale vjen si fillim i implementimit të disa politikave si: Implementimi i Ligjit për veteranë të luftës; ngritja në mbështetjen për asistencën sociale dhe implementimi i plotë i Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Ndërkaq pjesa tjetër e subvencioneve për kategoritë tjera sociale është rritur në harmoni me rritjen e numrit të përfituesve”, thuhet në këtë dokument të projektbuxhetit për vitin 2016, raporton KoosvaLive.

Subvencionet dhe transferet në vitin 2014 ishin, sipas këtij dokumenti, 361.2 milionë euro, ndërsa për vitin aktual (2015) janë 426.2 milionë euro, kurse për vitin 2016 parashihen 449.3 milionë euro.

Ndërsa te kategoria për transferet sociale për vitin e kaluar kanë qenë 339.8 milionë euro, kurse për vitin 2015 janë 396.5 milionë euro të cilat shënuan rritje për 56.7 milionë euro. kurse për vitin 2016 ato parashihen të jenë 439.1, apo 42.6 milionë euro më shume. /Telegrafi/

Exit mobile version