Qeveria e Kosovës, lidhur me çështjen emërimit të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, bën të ditur se të premten do të mbajë mbledhjen e kabinetit qeveritar ku do t’i riprocedojë Kuvendit të Kosovës propozimet për emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Sa i përket vendimit të Kuvendit, Qeveria e Kosovës do të respektojë çdo procedurë që i takon asaj dhe do të pranojë çdo vendim që merret nga ana e deputetëve të Kuvendit.
Lidhur me përmbushjen e rekomandimeve për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës vlerëson se janë përmbushur të gjitha rekomandimet dhe kriteret e kërkuara nga mekanizmat e Bashkimit Evropian, për këtë proces.
Në këtë aspekt, janë përmbushur edhe të gjitha rekomandimet dhe kriteret që lidhen me fushën e prokurimeve. Është bërë kompletimi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Është bërë plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Prokurimin Publik, i cili mundëson që ky organ tashmë të jetë dhe të veproj në mënyrë krejtësisht të pavarur.
Është aprovuar kalimi në prokurimin elektronik dhe janë përcaktuar fazat e zbatimit, sipas të cilit prokurimi publik gjatë këtij viti do t ë aplikohet në të gjitha agjencionet qendrore, ndërkaq nga viti i ardhshëm edhe në pushtetin lokal.
Pas propozimit të Qeverisë, është aprovuar shkarkimi i një anëtari të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit i cili nuk i ka përmbushur kriteret ligjore dhe një anëtar tjetër është tërhequr më herët.
Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për të dëshmuar përmbushjen e çdo detyre dhe obligimi më këto procese të rëndësishme për vendin. /Telegrafi/