Site icon Telegrafi

Qeveria i riprocedon Kuvendit kandidatët për OSHP-në

Qeveria e Kosovës i ka ri-proceduar Kuvendit të Kosovës, kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kandidatët për kryetar të OSHP-së janë Blerim Dina dhe Musa Dragusha. Ndërsa, kandidatët për anëtarë të OSHP-së janë Nuhi Paqarizi, Vjollca Shala-Kurtishaj, Ivica Ivanoviq dhe Goran Milenkoviq.

Kujtim Shala, zëvendëskryeministër tha se zyra e kryeministrit i propozon këta kandidatë, në pajtim me Prokurimin publik të Kosovës, si dhe me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, e po ashtu duke iu referuar kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës është kërkuar plotësimi i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Zyra e kryeministrit propozon që të shqyrtohet dhe miratohet propozim vendimi, për të ri-proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kandidatët për kryetar dhe anëtar të OSHP-së. Bazuar në atë që u tha me lartë, Qeveria e Republikës së Kosovës propozon për ri-procedim në Kuvendin e Republikës së Kosovës këta kandidat për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së. Për kryetar të organit shqyrtues të prokurimit prop ozohen Blerim Dina dhe Musa Dragusha. Për anëtarë propozohen Nuhi Paqarizi, Vjollca Shala-Kurtishaj, Ivica Ivanoviq dhe Goran Milenkoviq. Pas aprovimit nga ana e Qeverisë, vendimi bashkë me biografitë e kandidatëve do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shqyrtim dhe miratim”, tha ai.

Kryeministri Isa Mustafa tha se janë plotësuar kushtet ligjore për kandidatët për anëtarë dhe kryetar të OSHP-së.
“Për anëtar dhe kryetar të OSHP-së, plotësohen kushtet ligjore, meqenëse me ligj është paraparë që së paku dy anëtarë të propozohen për çdo vend, ne i kemi tre vende atje. Vendin e kryetarëve dhe dy vende për anëtar të OSHP-së. Prandaj, mund të iu them se sipas informatave që i kam është kompletuar krejt dokumentacioni për ta, sa i përket dhe biografisë dhe dokumentacioni tjetër ligjor i cili kërkohet”, tha Mustafa.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, para kabinetit Qeveritar bëri të ditur për anëtarësimin e Kosovës në Buronë ndërkombëtare të ekspozitave, duke e quajtur këtë një lajm të madh.

“Kosova është anëtarësuar në Buronë ndërkombëtare të ekspozitave, që organizon eksport e famshme. Vjet në Milano nuk kishim mundësi të marrim pjesë. Për ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të Tregtisë dhe Ministrinë e Kulturës është lajm i madh. Sepse kjo organizatë ndërkombëtare, nder me të vjetrat në botë tash i mundëson Kosovës që zyrtarisht të marrë pjesë në ekspot që organizohen si dhe panairet dhe përfaqësimet ndërkombëtare”, tha Selimi.

Qeveria po ashtu ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkimin ndërkufitar, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Malit të zi, si dhe propozim vendimin për t’i rekomanduar presidentes së Kosovës dhënien e autorizimit të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për shkëmbim dhe ndarjen e rezervës rregulluese, ndërmjet Operatorit të sistemit të Transmetimit OST Sh.A dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut KOSST. /Telegrafi/

Exit mobile version