Telegrafi

Qeveria redukton veturat

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të reduktojë veturat brenda saj, pasi që sipas tyre ka vetura për të cilat bëhen shpenzime të panevojshme.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se do të reduktohen 122 vetura në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe shitja e tyre do të bëhet me ankand, pas marrjes së vlerësimeve nga ministritë.
“Ajo çfarë kërkohet nga ministritë është që të gjitha ministritë ta vlerësojnë që cilat automjete mund t’i qesim jashtë përdorimit dhe të shkojmë në reduktimin e tyre sipas evidencave që i kemi tani do të thotë i kemi diku 122 automjete që janë jashtë përdorimit dhe po ashtu vlerësimet janë se mund të kemi edhe më tutje sepse po bëhen shpenzime më të mëdha për mirëmbajtjen e tyre se sa që ato të blehen të reja”, thotë kryeministri Mustafa.

Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Administratës Publike për identifikimin e automjeteve tepricë dhe ekonomikisht të pafavorshme në pajtim me legjislacionin në fuqi. Ministria e Administratës Publike për të gjitha strukturat e Qeverisë së Kosovës do të kryej procedurat e shitjes, përmes ankandit publik në pajtim me legjislacionin në fuqi, automjetet tepricë dhe ekonomikisht të pafavorshme.

Vendimi tjetër i Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme ka qenë aprovimi i Udhëzimit Administrativ për Implementimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik. Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë një listë të mallrave ose artikujve të përdorimit të përbashkët, duke rregulluar strukturën dhe përmbajtjen e kategorive dhe artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit. Udhëzimi përmban listën e artikujve për përdorim të përbashkët, listën e institucioneve që nuk janë të autorizuara të kryejnë procedurat e prokurimit për ata artikuj dhe procedurat e prokurimit.

Sipas ministrit Avdullah Hoti, udhëzimi është i detyrueshëm për të gjitha institucionet përkatëse të Kosovës që marrin pjesë në procedurat qendrore të prokurimit publik.

“Në udhëzim është paraparë kjo listë e artikujve për prokurim të përbashkët: derivate, material për zyrë, produkte higjienike, prokurimi i ushqimit, furnizimi me bileta dhe furnizimi me goma për automjete. Ky furnizim i përbashkët do të bëhet për 77 organizata buxhetore të nivelit qendror. Këto organizata buxhetore gjatë vitit të kaluar kanë shpenzuar rreth 45 milionë euro në këto artikuj, prandaj vlerësimet e Agjencionit është që mund të kursehen rreth 5 milionë euro në vit nëse këto shkojnë përmes prokurimit të përbashkët,” thotë ministri Hoti.

Po ashtu, përmes projekt-udhëzimit të miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë për procedurat qendrore të prokurimit parashihen kursime sipas Ministrit të Financave Avdullah Hoti prej 5 milionë euro. /Telegrafi/