Qeveria e Maqedonisë përmes një kumtese për media i është përgjigjur qeverisë greke, në lidhje me propozimin “Republika Ilindenska Makedonija”. Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se ky propozim është me përcaktim kohor dhe i kënaq të dy palët.
“Republika Ilindenska Makedonija është emër me përcaktim kohor, i cili fton në data konkrete nga e kaluara dhe është mundësi reale për kompromis që i kënaq të dy palët. Presim që propozimi të kuptohet dhe të gjejë mbështetje të gjerë në Athinë”, thonë nga qeveria, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ata më tej shtojnë se me këtë emër bëhet përcaktim kufitar me rajonin e Maqedonisë në Greqi.
“Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e popullit tonë multietnik për të drejtat dhe liritë sociale. Dhe nuk ka aspirata territoriale ndaj asnjë vendi fqinj, duke përfshirë edhe Greqinë. Kjo është lufta e njëjtë e vitit 1903 dhe 1944”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në fund të njoftimit thuhet se Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë me bisedimet me Qeverinë e Greqisë për gjetjen e zgjidhjes të problemit 25-vjeçar.
Përndryshe, gjatë ditës së djeshme pasi kryeministri Zaev njoftoi se për propozimin e ri për çështjen e emrit, pas një ore reagoi edhe Athina zyrtare duke kërkuar që emri i ri të përmbajë përcaktim kohor dhe gjeografik. /Telegrafi/