Telegrafi

Qeveria premton që minatorëve të Trepçës pagat do t’u paguhen më së largu të premten

Të premten më së largu pritet që minatorët e Trepçës ta marrin pagën e tetorit.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur drejtori i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Besnik Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se dje janë informuar se është marrë urdhri për bartjen e mjeteve nga Ministria e Financave në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Menaxhmeti dhe Sindikata e Trepçës e dinë procedurën për bartjen e mjeteve. Deri nesër më së largu do t’i kenë paratë në llogari. Janë 1.1 milionë euro, 1 milion dalin sot ose nesër dhe 100 mijë dalin gjatë javës. Qeveria e Kosovës këtë vit përveç 1.1 milionë euro e ka subvencioni Trepçën edhe me 7.2 milionë euro në subvencione dhe investime kapitale dhe pjesën tjetër në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje”, tha Krasniqi.

Punëtorët e kombinatit Trepça që nga mbrëmë janë duke vazhduar grevën, me arsyetimin se ata nuk kanë marrë ende pagën e muajit tetor.

Lexo po ashtu Jep dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Trepçës, Hysen Vrajolli

Kurse, sot ka dhënë dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Trepçës, Hysen Vrajolli.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të javës kishte marr vendim që Trepçës t’i ndahen 1.1 milion euro.

Ky vendim është marr pasi minatorët e minierës në Stantërg kishin ndërprerë punën në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave. /Telegrafi/