Qeveria e Kosovës thotë se përmes mekanizmave kompetentë institucionalë, po e përcjellë me vëmendje të posaçme situatën e krijuar në Kosovë pas reshjeve të mëdha të borës si dhe temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Qendra e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë në Zyrën e Kryeministrit, Ministria e Infrastrukturës si dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave janë plotësisht të angazhuara në ballafaqim me situatën, duke rritur gatishmërinë në tejkalimin e kësaj emergjence”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, transmeton Telegrafi.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po ashtu ka kërkuar nga institucionet kompetente që të rrisin mobilizimin, gatishmërinë dhe koordinimin e gjithanshëm për t’i dal në ndihmë qytetarëve, institucioneve lokale, si dhe të gjitha komuniteteve e banorëve të vendit të cilët mund të ballafaqohen me pasojat e kësaj situate’, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/