Qeveria sot vlerësoi se të dhënat e publikuara për rritjen e BPV-së, të punësimit në prodhimtarinë industriale janë dëshmi për stabilizim ekonomik dhe kthimin e besimit të humbur në perspektivat e ekonomisë vendore.
“Të dhënat e publikuara të Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS) për bruto prodhimin vendor (BPV) për vitin e fundit tregon se në tremujorin e katërt të vitit 2017 ekonomia shënon rritje prej 1,2 për qind dhe del nga situata e stagnimit. Kjo është dëshmi se po kthehet besimi i humbur në perspektivat e ekonomisë vendore”, thonë nga Qeveria, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në mënyrë shtesë, theksohet në kumtesën e shërbimit qeveritar për media, të dhënat e fundit të publikuara nga ESHS tregojnë edhe rritje të prodhimtarisë industriale prej tetë për qind që paraqet edhe një konfirmim se aktiviteti ekonomik po intensifikohet.
“Gjendjen faktike të cilën e trashëgoi Qeveria pas formimit të saj ishte rënia e ekonomisë prej 1,3 për qind për shkak të krizës së vështirë politike të shkaktuar nga bllokimet politike, por edhe për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm me ekonominë në vitet e fundit. Politikat e reja ekonomike, proceset reformuese, riafirmimi i proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë në BE dhe në NATO kontribuuan që ekonomia të stabilizohet dhe të fillojë të shënojë norma të rritjes të BPV-së”, shtojnë nga Qeveria.
Stabilizimi ekonomik sipas Qeverisë, konfirmohet edhe më të dhënat për rritje vjetore të punësimit prej 1,9 për qind në tremujorin e katërt në vitin 2017, krahasuar me tremujorin e njëjtë nga viti 2016.