Telegrafi

Qeveria po keqpërdor paranë publike

Sipas ish-ministrit të MEF-it Haki Shatri, të hyrat e realizuara nga Administrata Tatimore e Kosovës, sipas auditorit janë 10 për qind më të ulëta se në vitin 2008. Rreth 90 milionë euro borxhe të vjetra i takojnë periudhës kohore prej 6 vjetësh, borxh ky i cili sipas rregullores në fuqi do të duhej të shlyhej.

“Dukuria e shpenzimeve të larta në fund të vitit nuk është eliminuar, por përkundrazi është rritur. Pagat dhe mëditjet në disa raste janë kryer nga vija buxhetore e Mallra dhe Shërbime, që është e kundërligjshme. Ri-alokimet, shumicën e rasteve janë bërë jashtë procedurave ligjore”, tha Shatri.
Ndërkaq sa i menaxhimit financiar, sipas Shatrit planifikimi dhe ekzekutimi i buxhetit përcillet me dobësi të theksuara, sidomos tek investimet kapitale. Ri-destinimi i mjeteve bëhet me qëllim të shmangies nga suficiti dhe është i shprehur në fund të vitit.

Po ashtu në këtë raport sipas tij, sistemi i prokurimit nuk funksionon si duhet edhe për sa i përket transparencës dhe konkurrencës.

Shatrit tha se tek Ndërmarrjet Publike të gjeturat e auditorit, tregojnë se nuk ka monitorim efektiv nga qeveria. /Telegrafi/