Telegrafi

Qeveria po bën “aksham pazar” me asetet më të çmueshme të Kosovës

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Shatri tha se AAK është e shqetësuar për trendet negative të stabilitetit makroekonomik.
“Rritja e investimeve në sektorin publik nuk i dha efektet e pritura për shkak të keq-qeverisjes, korrupsionit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Si pasojë, kemi rritjen e papunësisë dhe varfërisë, pra përkeqësimin e stabilitetit makroekonomik dhe rrezikimin e paqes sociale”, tha Shatri.
Sipas tij, në këto rrethana është rrezikuar stabiliteti buxhetor dhe sistemi fiskal, ndërsa prioritetet e qeverisë nuk respektohen, veçanërisht prioritetet sektoriale për shkak të deformimeve në fazën e planifikimit, përgatitjes dhe aprovimit të buxhetit.
Ai tha se vlera e parasë publike e cila në procesin e ekzekutimit kalon pa respektuar procedurat ligjore, arrin deri në 400 milion euro në vit.
Sipas AAK-së evazioni fiskal ka marrë përmasa, ndërsa qarkullimi i pakontrolluar i mallrave në pikat doganore 1 dhe 31 ka dëmtuar buxhetin për rreth 100 milion euro.
“Edhe këtë vit, në tremujorin e parë inkasimi i të hyrave është 25% nën parashikimet e buxhetit. Vetëm dogana ka mbyllur pesë mujorin e vitit 2010 me 21 milion euro më pak se sa parasheh buxheti”, tha Shatri, duke shtuar se këto dukuri bëjnë që FMN-ja të jetë e shqetësuar me stabilitetin buxhetor.
Sipas tij, AAK në parim është përcaktuar për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe transformimin e ndërmarrjeve publike, mirëpo theksoi se brenga e tyre në këtë proces është vendimi i ngutshëm për privatizimin e Postë-Telekomit dhe Valës. /Telegrafi/