Telegrafi

Qeveria për takimin e sotëm Kosovë-Serbi në Bruksel: Ende nuk ka përafrim të qëndrimeve

Sot në Bruksel ka rifilluar dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për pensionet dhe kadastrin.

“Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka zhvilluar sot, më 10 dhjetor, në Bruksel takimin e radhës me delegacionin serb.

Temë e diskutimit ishin pensionet dhe kadastri. Ky diskutim ishte vazhdimësi e trajtimit të këtyre çështjeve në takimin e kaluar më 29 tetor 2020”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka theksuar se edhe pas një diskutimi të gjatë, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve.

“Sidoqoftë, kishte pajtim që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme midis dy vendeve të vazhdojë në takimin e radhës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/