Telegrafi

Qeveria për sulmin kibernetik: Nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në qendrën shtetërore

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik me të cilin sistemet qeveritare janë ballafaquar gjatë javës së kaluar.

Sipas njoftimit, ky sulm i llojit DDoS ka shkaktuar pengesa dhe mungesë të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare.

Tutje, bëhet e ditur se me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdimin e sulmit.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit”.

Tani, të gjitha shërbimet qeveritare thuhet se janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre.

Gjatë këtij sulmi kibernetik po ashtu bëhet e ditur se në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/