Site icon Telegrafi

Qeveria për shpërblimet: Nga 800 deri në 1800 euro për shërbyesit civilë, i ulëm në 100 deri në 500 euro

Qeveria e Kosovës ka sqaruar se vendimi për gjoja “shpërblim” e stafit, nuk ka të bëjë me kurrfarë shpërblimesh, por bëhet fjalë për skemën e Fondit për Kuadro, i cili funksionon që nga viti 2009, në përputhje me Rregulloren për Funksionimin e Fondit për Kuadro dhe akte të tjera në fuqi.

Sipas Qeverisë së Kosovës qëllimi i këtij fondi është që të bëhet ofrimi i pagesave më të larta për pozitat me rëndësi prioritare dhe strategjike për Qeverinë e Republikës së Kosovës, nga i cili përfitues mund të jenë vetëm shërbyesit civilë dhe assesi stafi politik.

“Duke iu referuar Rregullores për kriteret për përzgjedhjen e pozitave dhe kandidatëve për Fondin e Kuadrove, specifikisht përcaktohet se ‘Stafi politik, sekretarët e përgjithshëm, ushtruesit e detyrave të pozitave të caktuara nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga Fondi për Kuadro’, gjë që e bën të pasaktë dhe tendencioz aludimin se me këtë rast bëhet fjalë për shpërblim të stafit”.

Konkretisht, sa i përket Zyrës së Kryeministrit, ju bëjmë më dije se nga 500 punonjës dhe 23 zyre dhe agjenci të ndryshme në kuadër të ZKM-së, për këtë Fond janë propozuar vetëm 14 zyrtarë, të gjithë shërbyes civilë, në përputhje të plotë me aktet ligjore, dhe presin miratimin nga Komisioni Vlerësues.

“Ndërkaq, sa i përket shumave të cekura, ju njoftojmë se në përputhje me përcaktimin e Qeverisë së Kosovës për kursime buxhetore, këto shuma janë përgjysmuar. Pra, nga mbi 1 milion euro sa ka qenë në vitet e kaluara, me vendim të Qeverisë së datës 12 gusht 2015, kjo shumë në këtë vit është përgjysmuar”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës në një sqarim për media.

Shumat në vitet e mëhershme kanë qenë nga 800 deri në 1800 euro për shërbyesit civilë, ndërsa me vendim të Qeverisë, të cilin mediat e kanë cituar në mënyrë të gabuar, kjo shumë është ulur nga 100 deri në 500 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version