Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin KV008-16 të emetimit të Letrave me Vlerë, ku u ofertuan Bono Thesari 6-mujore në vlerë nominale prej 30 milionë euro. E tërë shuma do të shërbejë për ri-financimin e bonos të emetuar në tetor 2015.
“Në këtë ankand tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 57.05 milionë euro, kurse ne pranuam vetëm shumën e shpallur paraprakisht e që është 30 milionë euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.32 për qind vjetore, gjë që paraqet një dallim prej -103 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 6-mujore, e cila ishte 1.35 për qind”, ka njoftuar Ministria e Financave.
Arsyet të cilat kanë kontribuar në rënien e normës së interesit janë likuiditeti në sektorin bankar, por edhe siguria e lartë që ka ky investim marrë parasysh qëndrueshmërinë makro-fiskale dhe nivelin e ulët të borxhit që aktualisht ka Republika e Kosovës. “Shto këtu edhe faktorët e jashtëm siç janë normat negative për investimin e fondeve në tregjet e jashtme, Letrat me Vlerë të Republikës së Kosovës bëhen mjaft atraktive si investim në valutën euro. Si rezultat, kërkesa për Letrat me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti, secilën herë e ka tejkaluar ofertën e Ministrisë së Financave”.
Emetimi i Letrave me Vlerë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të Shtetit. Në të njëjtën kohë, i krijon hapësirë shtesë Qeverisë për investime të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit apo krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillim ekonomik nga sektori real.
“Normat e ulëta nënkuptojnë besueshmëri më të lartë në Republikën e Kosovës, por edhe kosto më të lirë të huamarrjes, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në koston e investimeve në projekte zhvillimore”, thekson njoftimi i MF-së.
Blerësit sipas kategorive në ankandin e bonove të Thesarit, Ankandi KV008-16 i emetimit të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Kosovës ishin bankat me 15 milionë euro si dhe fondet pensionale me 15 milionë euro. /Telegrafi/