Kuvendi i Kosovës për të pestën herë ka dështuar ta votoj në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Në seancë morën pjesë në votim vetëm 48 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë në seancën e kaluar se ky Projektligj nuk e ka qëllim vetëm tërheqjen e 10 përqindëshit të Trustit.
“Ka në vete disa nene që e bëjnë të mundshme zbatimin e programit qeverisës për rimëkëmbje ekonomike”, tha ajo.
Sipas saj, njëra është hapja e 10 dritareve të reja në kuadër të fondit kosovar për garanci kreditore deri në shumën 100 milionë.
Bajrami kishte thënë se me këtë Projektligj jep mundësinë që edhe fermat e vogla që nuk janë fare të regjistruara si biznese, të marrin kredi nën ombrellën e Fondit.
Projektligji mundëson që 100 milionë euro nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit të mund të shfrytëzohen për transfere dhe subvencione për t’iu ndihmuar ndërmarrjeve në sektorin privat.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri javë më parë pati takuar drejtorin e Trustit, Ardian Zalli.
Ai kishte thënë se procedura e aplikimit do të jetë online, e thjeshtë, duke e marrë parasysh situatën mes pandeminë.
“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10 për qindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, kishte bërë të ditur Tahiri.
Ai pati thënë se janë diku mbi 630,349 persona që janë pjesë e kësaj skeme, raporton Telegrafi.
Sipas tij, nëse kjo punë fillon nga shtatori e tutje, hyjnë rreth 200 milionë euro hyjnë në qarkullim në tregun e Kosovës.
“Nuk e dimë sa do të tërhiqen, pasi një numër i madh i njerëzve mund të tërheqin vetëm një shumë të vogël”, kishte thënë ai, e që mund të jenë rreth 50 për qind e personave që janë pjesë e kësaj skeme.
Zëvendëskryeministri kishte thënë nga kjo mundësi e tërheqjes së 10 për qindëshit janë tri benefite: krijohet qarkullim i parasë kesh, mund të bëhet një planifikim familjar buxhetor sado i vogël por në një kohë të vështirë dhe paratë i marrin njerëzit që kanë kontribuuar me vite.
Ndërkaq, Ardian Zalli nga Trusti pensional pati njoftuar se tërheqja 10 për qindëshit do të bëhet vetëm online dhe mund të bëhet vetëm pasi ligji të hyjë në fuqi, të nënshkruhet nga presidenti dhe të shpallet në gazetën zyrtare.
“Besoj se e kemi thjeshtuar procesin. Kurdo që mund të ndodh aplikimi të bëhet vetëm online dhe kjo shkon edhe në favor të situatës me pandeminë, në mënyrë që të mos përhapet”, ishte shprehur ai. /Telegrafi/