Site icon Telegrafi

Qeveria nuk i pagoi pronat e shpronësuara

Qeveria e Kosovës nuk ka paguar asnjë cent ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shpronësimin e ndërmarrjeve shoqërore. Ky agjencion ka shtatë vite që nga shteti nuk ka pranuar asnjë pagese. Në raportin e punës së AKP-së për vitin 2015 dhe plani për këtë viti thuhet se do t`i drejtojnë qeverisë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.

“Që prej themelimit të AKP-së në vitin 2008, Qeveria ende nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, deri më 10 Shtator 2015 [kur është marrë vendimi i fundit]”. “Për asnjë NSH nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa u paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave po ashtu pritet të paguhet 20%-i për punëtorët e NSH-ve”, shkruan në këtë raport.

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi tha se ky agjencion ka të dhëna për shpronësimin e rreth 550 pronave deri me tani nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“AKP do t’i trajtoj këto çështje me Qeverinë”, tha ai.

Gazeta Fjala ka kërkuar të dijë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinorë pse nuk janë paguar këto mjete dhe sa është shumë e përgjithshme për të gjitha shpronësimet mirëpo, ende nuk ka marrë përgjigje.

Vendimi i parë i bordit të ri

Agjencioni Kosovarë i Privatizimit ka vepruar për gati dy vjet pa bord. Ai arriti të kompletohet tek në seancën e 17 dhjetorit kur edhe u votuan tetë anëtarët e bordit të ri.

Pavarësisht kritikave për emërime politike dhe numri i anëtarëve që sipas ligjit në fuqi do të duhej që 5 anëtarë të emëroheshin nga qeveria kurse 3 nga faktori ndërkombëtarë, në kuvend u votuan Petrit Gashi kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismail Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Djokic, Bajram Zejnullahu.

Vendimi i parë i këtij bordi është nxjerr në mbledhjen e mbajtur më 30 dhjetor 2015, kur i janë transferuar Qeverisë 61.3 milionë euro nga Fondet e mirëbesimit të 125 ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.

Këtë e ka bërë pavarësisht vendimit të Qeverisë së kaluar, e cila hiqte dorë nga këto fonde për t’iu mundësuar AKP-së të paguante punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara.

Në media u raportua se si rezultat i kësaj, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj nuk pritet të marrin kompensimin për rrogat e papaguara të viteve ’90, pavarësisht se grava e tyre është duke vazhduar e që së shpejti i bënë dy vjetë prej se janë vendosur në tendën para qeverisë.

Shteti nuk ka privatizuar edhe 1500 NSH

Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga themelimi, fillimisht nën emërtimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit në vitin 2002 deri më 30 Nëntor 2015 ka nënshkruar 1 mijë e 286 kontrata të shitjes së Ndërmarrjeve të Reja dhe të shitjes së aseteve të NSH-ve, bazuar në raportin përmbledhës të aktivitetit të saj.

Në planin për vitin 2016 ajo parasheh që të mos ketë vonesa në këtë proces, pasi që Agjencia ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të ndërmarrjeve shoqërore.
Pengesat tjera që AKP ka parë deri në përmbylljen e procesit të likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore janë rreth 29 mijë e 373 raste gjyqësore.

Gjithashtu janë 6922 ankesa me 10 mijë 122 ankues në listat e punëtorëve të NSH-ve që ende janë në dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Gati 3 mijë raste të proceduara nga zyret rajonale në gjykata, dhe 180 rate të iniciuara për përmbarim.

Edhe Agjencia ka të iniciuara 4 mijë e 705 raste gjyqësore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Kurse dy rast kanë shkuar deri në gjykatën Kushtetuese. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version