Para se ti lënë zyrat në Qeverinë e Kosovës, partnerët e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), po i mbushin me militant partiak.
Këto dy subjekte, duket se po e shfrytëzojnë kohën e mbetur në detyrë deri në zgjedhje, për të rehatuar nëpër institucione ata që do tu shërbejnë për ti siguruar votat.
Javën e kaluar Ministria e Bujqësisë që udhëhiqet nga Memli Krasniqi i PDK-së, ka punësuar me kontratë mbi vepër afër 20 militantë të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.
Gazeta Fjala mëson se ky numër i madh i të punësuarve ka shkaktuar pakënaqësi në ministri në mungesë të hapësirës dhe vendeve të punës.
Njëri nga të punësuarit ka thënë për Gazetën Fjala në kushte anonimiteti se pothuajse asnjëri nuk e di se cila është puna që do ta kryejë në këtë institucion. Ai pranon se vendin e punës e ka marrë pasi është përkrahës i Partisë Demokratike të Kosovës.
“Na kanë premtuar që pas zgjedhjeve do të marrim kontrata të rregullta. Java e parë në ministri ka qenë e vështirë. Shumë drejtor nuk kanë dashur të na pranojnë nëpër drejtoritë e tyre”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër për të punësuar njerëz pikërisht në kohën kur Qeveria i ka ditët e numëruara.
Përmes konkurseve publike, kjo parti po synon që të rehatojë sa më shumë përkrahës të saj.
Imet Rrahmani i LDK-së që udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë, ka shpallur dy konkurse ku synon të punësojë 7 persona.
Në konkursin e parë pritet të punësohen 5 zyrtarë për buxhet dhe financa, kurse në të dytin 2 zyrtarë ligjor.
Një konkurs mjaft të dyshimtë e ka shpallur edhe Ministria e Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Enver Hoxhaj i Partisë Demokratike të Kosovës.
Saktësisht me datë 8 maj kjo ministri ka shpallë konkurs me 12 vende të lira të punës. Në konkurs figurojnë si pozita të lira nga Zyrtar i ceremonialit, zyrtar i arkivës, zyrtarë për lektorim e deri tek zyrtarë ligjor.
Përjashtim nga punësimet në kohë fushate nuk bëjnë as ministritë që udhëhiqen nga komuniteti serb.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, pritet të punësojë tre persona në pozita të ndryshme.
Ndryshe, deri në zgjedhje ministritë i kanë shpeshtuar dukshëm konkurset publike. Kjo gjë vërehet më se shumti tek ministritë që udhëhiqen nga dy partitë me të mëdha në koalicion, LDK dhe PDK. /Gazeta Fjala/Telegrafi/