Telegrafi

Qeveria në detyrë merr vendim të mbyllen dy qendrat e karantinës në Kosovë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës sot ka marrë disa vendime, ndër to edhe vendimin për mbylljen e Qendrave të karantinës, si Qendra e Studentëve në Prishtinë dhe Qendra për të huaj në Vranidoll.

Sipas njoftimit, në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që nga data 30 maj 2020 të shfuqizohen vendimet përmes së cilave ishin caktuar qendrat si hapësirë karantine.

“Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që nga data 30 maj 2020 të shfuqizohen vendimet: Vendimi i Qeverisë nr.01/13 i datës 18/03/2020, me të cilin Qendra e Studentëve në Prishtinë është caktuar si hapësirë karantine; Vendimi i GNMI MPBAP Nr.140/2020 i datës 25/03/2020, me të cilin është caktuar qendra për të huaj në Vranidoll si hapësirë karantine”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

“Në vijim, të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse”, thuhet në njoftim teksa të gjitha Vendimet tjera që kanë rregulluar procedurat e karantinës shfuqizohen.

Në arsyetim të vendimit thuhet se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake sipas konstatimeve të IKShPK-së dhe zyrës së OBSh-së në Kosovë.

Ndërkaq, Qeveria në detyrë po ashtu ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike në këtë përbërje:

1. Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kryesuese;

2. Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, anëtar;

3. Lumir Abdixhiku, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, anëtar;

4. Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;

5. Emilija Redžepi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtare;

6. Kryetari i Komunës në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar;

7. Ministri përgjegjës për sektorin në të cilin realizohet investimi strategjik, anëtar; dhe

8. Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, anëtar. /Telegrafi/