Telegrafi

Qeveria ndjek me vëmendje të shtuar situatën në veri

“Ne i dënojmë fuqishëm këto akte të dhunës që janë në kundërshtim me vizionin e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë’, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, incidentet e tilla nuk i shërbejnë të mirës së vendit – “dhe ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e këtyre provokimeve dashakeqe dhe të ruajnë qetësinë e të distancohen nga aktet e tilla”.

Po ashtu bëhet e ditur se, Qeveria është në koordinim të plotë me organet e rendit dhe sigurisë, si dhe me misionet ndërkombëtare të KFOR-it dhe EULEX-it në shërbim të ruajtjes së qetësisë dhe tejkalimit të situatës së krijuar.

“Ftojmë qytetarët që të kenë besim në vendosmërinë dhe kapacitetet e institucioneve të vendit dhe që bashkërisht të tregojmë vullnetin tonë për një Kosovë të qetë, stabile dhe të sigurt për të gjithë”, përfundon komunikata. /Telegrafi/