Site icon Telegrafi

Qeveria ndihmon me nga 30 mijë euro familjet e minatorëve që humben jetën në minierën e Artanës

Dy minatorë, inxhinieri Haki Arifi e xehetari Idriz Gërbeshi, vdiqën sot nga shembja e dheut në horizontin e katërt, punishtja 24/9, në minierën e Artanës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vendosur t’i ndihmoj familjet e tyre me nga 30,000 euro dhe bursë për fëmijët që po e ndjekin shkollimin.

Në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit thuhet se djalit të madh të Idrizit, 21 vjeç, do t’i ofrohet mundësi punësimi në minierë, transmeton Telegrafi.

“Pas lajmit për tragjedinë, në Artanë shkoi menjëherë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, zëvendësministrin e Mbrojtjes,  Enver Dugolli dhe kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Luigj Imeri. Aty, të pranishëm, ishin edhe kryeshefi i Trepçës, z. Hysen Vrajolli, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Minierës së Artanës, Blerim Ymeri dhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjet e tyre.

“Nuk ka asnjë minator tjetër të ngujuar. Ishin gjithsej 10 minatorë. Dhe, ekipi i mjekësisë ligjore, ai i FSK-së dhe i kërkim-shpëtimit të KEK-ut janë duke punuar për nxjerrjen e këtyre dy trupave në sipërfaqe nga shembja në minierë”, vijon njoftimi.

 

Exit mobile version