Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 128-të të saj ka miratuar vendimin për ndarjen e 10,300,000.00 eurove për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Sipas njoftimit për media thuhet se përveç këtij vendimi Qeveria ka miratuar edhe disa vendime tjera duke përfshirë vendimin me të cilin jep mendim lidhur me Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-158.
“Qeveria vlerëson nismën në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë mbështetë nismën e propozuar dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar se kjo nismë nuk krijon kosto shtesë buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua edhe vendimi për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës, vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13 dhjetor 2022 për miratimin e Planit të Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike, si dhe vendimin për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, sipas Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për të cilët është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës. /Telegrafi/