Qeveria e Kosovës ka marr vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e manifestimit gjithë popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, që organizohet nën patronatin e kryeministrit Isa Mustafa.
Me këtë rast, kabineti qeveritar ka ndarë 50 mijë euro për nevojat e këshillit organizativ.
Këtë këshill do ta kryesojë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.
Ndërsa, anëtarët tjerë të këtij këshilli do të jenë, sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, përfaqësuesi nga komuna e Skenderajt, përfaqësuesi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Po ashtu, në Këshill janë ftuar që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
“Epopeja e UÇK-së” mbahet më 5,6 dhe 7 mars për të përkujtuar rënien e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.