Qeveria e Kosovës të premten ka ndarë mjete financiare në shumë prej 1 milion për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në Komunën e Rahovecit.
Me propozimin e Ministrisë së Financave, Qeveria ka marr vendim për lirimin nga norma e taksës doganore për importet e shtazëve si: kuaj, gomar, mushka, gjedhe, derra, shpend dhe kafshë tjera të gjalla.
Gjithashtu janë liruar nga tatimi doganor për mallrat e importuara nga Bashkësitë Fetare, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së tyre financiare.
Në mbledhjen e sotme ka marr miratimin e kabinetit qeveritar nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare me Republikën e Francës për vendosjen dhe aktivitetet e Agjencisë Franceze për Zhvillim, PROPACO dhe Expertise France në Kosovë.
Qeveria ka miratuar Raportin e parë tremujor të Buxhetit për vitin 2019. Raporti është përgatitur në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, të cilat i përcillen Kuvendit brenda 30 ditësh nga mbarimi i çdo tremujori. Pranimet në buxhet në këtë periudhë janë 464,79 milionë euro, ndërsa shpenzimet në total janë 401,02 milionë euro.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka aprovuar Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2020-2022, të cilin do ta procedojë në Kuvendin e Kosovës.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020-2022 (KASH 2020-2022), e aprovuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2020. Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të bazuar të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë.
Duke marr parasysh strukturën aktuale ekonomike të Kosovës dhe pengesat e shumta në rritje ekonomike, është e nevojshme ndërmarrja e reformave ekonomike për të liruar dhe fuqizuar potencialin ekonomik të vendit. Prioritetet e reformave ekonomike për periudhën afatmesme burojnë nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Programi për Reforma në Ekonomi 2019-2021, i cili rrjedh nga procesi i dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së. /Telegrafi/