Telegrafi

Qeveria ndalon përdorimin pa autorizim të veturave zyrtare, jashtë shtetit

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin me të cilin urdhërohen të gjithë zyrtarët e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përdorimin e automjeteve zyrtare në mënyrë strikte vetëm për qëllime zyrtare, jashtë shtetit.

“Obligohet policia në rastin e kontrollit, të sigurohet që vozitësi posedon autorizimin zyrtar. Fjala është për daljen me makina zyrtare që dalin jashtë vendit. Të dilet me shkresë-autorizim, jashtë vendit. Policia të bëjë kontrollin”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Gjithashtu sot, ekzekutivi miratoi propozim-vendimin për krijimin e grupit punues për bashkëpunim me Ministrinë Federale për Punë të Brendshme Gjermane dhe harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizim të vizave.

Veç këtyre, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur atë që kishte thënë ditë më parë se Gjermania është pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë Haradinaj e kishte bërë të ditur ditë më parë edhe përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka marrë lajme të mira nga Gjermania.

Siç ka shkruar Haradinaj, pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, ka marrë një “Po” të Gjermanisë për liberalizimin e vizave.

“Faleminderit Kancelares Merkel dhe shtetit Gjerman për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/