Site icon Telegrafi

“Qeveria mund të formohet edhe pa mandatin e presidentit”

Shumica parlamentare duhet të formojë qeverinë e re edhe pa mandat nga kryetari i shtetit GjorgjeIvanov, vlerëson një pjesë e ekspertëve juridik. Sipas profesorit Bekim Kadriu, kreu i shtetit nuk ka shumë hapësirë për manovrime të tjera politike.

“Nëse kryetari i shtetit vendos mos e jep mandatin megjithatë kuvendi përsëri do të ketë kompetencë që të bëjë zgjedhje të qeverisë dhe do ta zgjedhë qeverinë pa mandatin e Ivanovit. Do ta përsëris një qëndrim, ne nuk mund të jemi peng e shkeljes së Kushtetutës nga Ivanovi por edhe nga ana e kushdo qoftë tjetër”, deklaroi për Alsat-M, Bekim Kadriu.

Për profesorin Temellko Ristevski Presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov me mos-dorëzimin e mandatit bënë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe përveç që do të mbajë përgjegjësi politike, duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale.

“Kryetari i shtetit patjetër të jep mandatin, në të kundërt ai është në kundërshtim me dëshirën e shumicës së qytetarëve. Ai nuk është përmbi qytetarëve, ai është individ dhe duhet të respektojë dëshirën e shumicës parlamentare. Nëse këtë nuk e bënë, ai bënë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe duhet të mbajë përgjegjësi politike por edhe përgjegjësi penale”, tha profesori Temellko Ristevski.

Kadriu dhe Ristevski vlerësojnë se skenat e përgjakshme të 27 prillit nuk do të përsëriten në rast që shumica parlamentare formon qeverinë e re pa mandat nga kryetari i shtetit. Ata thanë se sot rrethanat janë ndryshuar dhe se vizita e fundit e zëvendës-ndihmësit të sekretarit shtetëror të SHBA-ve Hoyt Yee dhe zbutja e qëndrimit të Ivanovit në lidhje me mandatin, janë sinjale pozitive se kriza shkon drejt zgjidhjes paqësore.

Exit mobile version