Telegrafi

Qeveria miraton vendimin që Obiliq të bëhet me Ndërmarrje Publike

Komuna e Obiliqit do të bëhet me Ndërmarrje Publike Lokale “Kastrioti” Sh.A. Tashmë themelimi i kësaj ndërmarrje është marrë edhe në mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “ Kastrioti Sh.A.” Obiliq, me 100 % të aksioneve nga Komuna e Obiliqit. Me këtë vendim, komuna e Obiliqit autorizohet që të veprojë në emër të aksionarit të vetëm në NPL “ Kastrioti” Sh.A. dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e ligjshme, duke përfshirë regjistrimin sipas Ligjit nr.02/L-016 për Shoqëritë Tregtare”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Qeveria e Kosovës, po ashtu ka miratuar vendimin me të cilin obligohet Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) që në bashkëpunim me Ndërmarrjet Publike Qendrore të përgatis dhe raportojë në Thesarin e Kosovës (MF), të dhënat e plota, me kohë dhe të sakta, për huamarrjet e brendshme dhe ndërkombëtare të Ndërmarrjeve Publike Qendrore. Ky raportim duhet të bëhet në baza tremujore, jo më larg se 15 ditë pas përfundimit të çdo tremujori.