Site icon Telegrafi

Qeveria miraton vendimin për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar propozim vendimin për transferin e stafit dhe ri-alokimin e mjeteve financiare për integrim të personelit nga fondi i kontingjentit të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, e cila për shumë vjet është konsideruar paralele me veprim në veri të Kosovës.

Ministrja Edita Tahiri, tha se  ky vendim e rrumbullakon zbatimin e marrëveshjes,  për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”.

“Propozojmë që të aprovohet vendimi në lidhje me transferin e stafit prej 50 zyrtarëve, si dhe mjeteve financiare në shumë prej 31 mijë e 643 euro, nga fondi i kontingjentit të paraparë në aneksin e vendimit numër 09/39 të qeverisë i datës 22 korrik 2015, për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e të ashtuquajturës mbrojte civile dhe integrimin e ish personelit të saj në institucionet civile të republikës së Kosovës. Këto mjete financiare dhe stafi i paraparë nga pika 1 i këtij vendimi, merren nga Ministria e Financave”, tha ajo.

Qeveria po ashtu miratoi Nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë,  në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, transmeton KP.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se kjo nismë ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe reagimin e shpejtë, në raste të fatkeqësive natyrore.

“Projekt marrëveshja ka për qëllim t’i ndihmoj në rritjen e kapaciteteve si dhe në reagimin e shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, për të ndihmuar dhe bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes civile, në veçanti lidhur me planin dhe masat parandaluese për tu mbrojtur nga përmbytjet, tërmetet, bllokimet nga dëbora, zjarret, ndotja, aksidentet detare. Ndotja radiologjike si dhe fatkeqësitë tjera,  që vijnë nga qoftë veprimtaria njerëzore, ndihmë të ndërsjellë në mbrojtje kërkim shpëtim dhe eliminim të pasojat që vijnë nga fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi tjera”, tha ai.

Exit mobile version