Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka miratuar vendimin për krijimin e grupit punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane.
Po ashtu është shqyrtuar Programi i Reformave në Ekonomi për vitin 2020.
“Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është themeluar Grupi Punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane. Grupi punues ka për detyrë, bazuar në Ligjin për Zonat Ekonomike, të identifikojë legjislacionin, lokacionin, procedurat dhe të gjitha çështjet tjera relevante që mundësojnë themelimin e Zonës së Ekonomike Zvicerane. Si rezultat Grupi punues do të përgatisë tërë dokumentacionin relevant bazuar në legjislacionin në fuqi që i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte njoftuar se pas vendimit për Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane dhe Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro–Gjerman, është koha e krijimit të Zonës Ekonomike Zvicerane, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe partneritetit mes dyja vendeve, për të cilën ide do të nisin përgatitjet e nevojshme. /Telegrafi/