Site icon Telegrafi

Qeveria miraton rritjen e pensioneve

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pensionit kontributpagues të moshës sipas përgatitjes shkollore.

Ministri Arban Abrashi tha se ministria që ai udhëheq do ta zbatojë këtë vendim me qëllim të një jete më të dinjitetshme për pensionistët.

Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti i siguroi pensionistet që pagesa do të jetë retroaktive nga muaji janar.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se ky është kontribut i madh i Qeverisë që po e përmbyll këtë kërkesë shumëvjeçare të pensionisteve. “Edhe pse s’kemi mundur të sigurojmë pension në bazë të kontributeve që kanë dhënë pensionistet, megjithatë është një shumë e dinjitetshme për përmirësimin e standardeve. E vlerësoj këtë vendim kaq të rëndësishëm për jetën e pensionistëve”, tha Mustafa.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, dje pas takimit që kishte me përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve, tha se rritja është rreth 33 për qind dhe se kjo do të bëhet në bazë të strukturave kualifikuese të pensionistëve.

“Orientimi jonë është që pensioni bazë, pensioni më i ulët me qenë 158 euro. Pensioni për ata që kanë punuar me shkolla të mesme dhe që kanë vërtetuar këtë të jetë 172 euro. Pensioni për të gjithë ata që kanë pasur shkollimin e lartë të jetë 186 euro dhe pensioni për ata që kanë pasur arsimimin superior, përkatësisht diplomat e fakultetit, universitetit të jetë 230 euro. Kjo është një rritje evidente. Do të thotë mesatarisht ne kemi shtuar për rreth 33 për qind. Por shtimet dallojnë varësisht nga strukturat kualifikuese të pensionisteve “, tha kryeministri. /Telegrafi/

Exit mobile version