Telegrafi

Qeveria miraton rekomandimet për TC “Kosova e Re”

Kryeministri Thaçi tha “Kosova e Re” është projekt nacional nga i cili Kosova do të ketë përfitime të mëdha.

“Ky është projekt që garanton Kosovën rrymë 24 orë, hap perspektiv për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës. Kosova si shtet do të përfitojë nga furnizimi me çmim të arsyeshëm, të qëndrueshëm dhe të besueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset për shumë vite”, tha ai.

Thaçi, ka shpjeguar se investitori në TC “Kosova e Re” do të nënshkruajë një marrëveshje afatgjate për blerje të rrymës me kompaninë e distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, për të siguruar që “Kosova e Re” do t’i përmbushë kërkesat e Kosovës për energji elektrike.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, tha se pas shumë analizave rreth zhvillimit të projektit është arritur deri te faza përfundimtare .

“Kemi pasur analiza të shumta dhe ndikime nga institucionet ndërkombëtare rreth konceptit dhe zhvillimit të këtij projekti, kemi ardhur deri te përfundimi i draft- marrëveshjes ku mbesin ende për diskutim dhe analizë disa prej çështjeve shumë të rëndësishme”, tha ministrja Pula.

Sipas saj, kërkesa e Komisionit Evropian për mbylljen e TC “Kosova A” duhet të përshpejtohet procedura për ndërtimin e TC “Kosova e Re”. /Telegrafi/