Site icon Telegrafi

Qeveria miraton Raportin Vjetor Financiar – mblidhen 16.3 milionë euro më pak, mbi 2.8 milionë euro më shumë pagesa

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020.

Sipas njoftimit, pranimet e përgjithshme për këtë vit kanë qenë 16.3 milionë euro më pak, kurse pagesat ishin 2.82 milionë euro më shumë.

“Pranimet e përgjithshme për vitin 2020 kanë qenë 2,206,647,000, euro, që është për 16 milionë e 275 mijë euro më pak se në vitin 2019, ndërsa pagesat kanë qenë 2,334,943,000 euro, krahasuar me vitin 2019 janë më të mëdha për 2 milionë e 817 mijë e 503 euro”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Qeveria thotë se për këtë periudhë ka rrespektuar kufirin e deficitit buxhetor.

“Deficiti nga realizimi prej 5.2 për qind është tregues që Qeveria e Kosovës ka respektuar në plotni kufirin e lejuar të deficitit (6.5 për qind) si dhe kufirin e planifikuar (2 për qind) të përshtatur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tregon Qeveria.

Ky raport financiar pasqyron financat dhe transaksionet financiare të institucioneve të Kosovës nga Buxheti i Kosovës, fondet në mirëbesim, grantet e përcaktuara të donatorëve, të hyrat vetanake, të hyrat e dedikuara, huamarrjen dhe shpenzimet për menaxhimin e pandemisë COVID-19 për vitin fiskal 2020.

Pas miratimit në Qeveri ky raport i dërgohet Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version