Site icon Telegrafi

Qeveria miraton Programin për Reforma në Ekonomi 2022-2024

Foto: Arkiv

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 57-të, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën është miratuar Programi për Reforma në Ekonomi 2022-2024 dhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Financimi i Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme”.

Programi për Reforma në Ekonomi 2022-2024, i miratuar sot, do të dorëzohet për informim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe te zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë.

Ky Program është hartuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Zyra e Planifikimit Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe koordinatorët e fushave të politikave nga ministritë e linjës.

Aktivitetet afatshkurtra nga Programi për Reforma në Ekonomi janë përfshirë në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2022 dhe janë në përputhje me aktivitetet e planifikuara në projekt Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Agjendën Evropiane të Reformave, si dhe me projektbuxhetin e vitit 2022.

Korniza e përgjithshme e politikave të Programit për Reforma në Ekonomi 2022-2024 është një kombinim:

(1)   i programit të rimëkëmbjes ekonomike, i cili synon të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë;

(2)   politikës fiskale të bazuar në rregullat e orientuara drejt stabilitetit të financave publike dhe, brenda hapësirës fiskale në dispozicion, drejt mbështetjes së rritjes ekonomike përmes investimeve kapitale dhe shtimit të fondeve për zonat prioritare të zhvillimit; dhe

(3)   një sërë reformash prioritare strukturore që adresojnë pengesat kryesore ndaj rritjes ekonomike dhe mbështesin zhvillimin e sektorëve ekonomik, konkurrues dhe sigurojnë që rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse dhe e rritë mirëqenien.

Kurse, vendimi i dytë i miratuar në mbledhjen e sotme, i ka hapur rrugë nismës për negocimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Financimi i Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme”.

Exit mobile version