Site icon Telegrafi

Qeveria miraton dy marrëveshjet të IPA në vlerë 74.45 milionë euro

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në mbledhjen e Qeverisë, ka paraqitur për miratim kërkesën nga Qeveria për Presidentin e Kosovës Autorizimin për nënshkrim të marrëveshjes financiare për IPA 2017, pjesa I dhe II. Propozimet e Ministres Hoxha, u miratuan në Qeveri.

Marrëveshja financiare për IPA 2017, pjesa e parë, është finalizuar dhe tani pritet nënshkrimi i saj.

“Kjo marrëveshje rregullon zbatimin e programit IPA 2017, pjesa e parë, që përfshin 11 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e njeriut, eficiencën e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale. Programi konsiston në financimin me 48 milionë euro nga ana e BE-së për Kosovën, ndërsa shuma totale është 49.45 milionë euro, ku përfshihen edhe bashkëfinancimi nga ana jonë në shumën 1.45 milionë euro”, theksoi ministrja Hoxha.

Pas këtij propozimi, Ministrja Hoxha ka paraqitur kërkesën e dytë për miratimin në parim, Marrëveshjen financiare për IPA 2017, pjesa e dytë, me Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja financiare IPA 2017, pjesa e dytë, përfshin vlerën 25 milionë euro, prej të cilave 21 milionë janë përkrahje buxhetore sektoriale, ndërsa 4 milionë janë asistencë për zbatimin e saj. Ky program jepet për fushën e menaxhimit të financave publike. Pas miratimit të nismës, Qeveria duhet të themelojë ekipin negociator që do të negociojë me BE-në për treguesit e reformave, caqet dhe vlerat numerike që duhet arritur për çdo vit, për një periudhë 3-vjeçare, 2019-2021”, ka theksuar Hoxha.

Ky është programi i dytë i përkrahjes buxhetore sektoriale, pas atij të Marrëveshjes financiare IPA 2016, pjesa e dytë, ishte e fokusuar në reformën e administratës publike.

“Kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë për Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe Ministrinë e Integrimit Evropian në veçanti, sepse i hap rrugë mandatimit të ekipit që do të negociojë tekstin e kësaj marrëveshjeje”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version