Site icon Telegrafi

Qeveria merr kredi 71 milionë euro për rrugën e Pejës

Qeveria ka shkruar marrëveshje për hua me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH).

Vlera e huas është 71 milionë euro, kjo kredi do të investohet në ndërtimin e Autostradës Kijevë – Zahaq . Këtë marrëveshje në emër të qeverisë e ka nënshkruar ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha e BERZh-it për Transport Sue Barrett.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës , bashkë me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim nënshkruam marrëveshjen financiare në vlerë prej 71 milion euro. Marrëveshje e cila është e dedikuar për financimin e njërën prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe ekonomike në vendin tonë. Bëhet fjalë për financimin e rrugës Prishtinë-Pejë, konkretisht segmentin Kijevë- Zahaq, që do të jetë një rrugë e cila e lidh një pjesë të madhe të territorit të Kosovës me kryeqytetin me Prishtinën, me aeroportin e Prishtinës ‘Adem Jashari’, ku i jep Kosovës qasje në korridoret ndërkombëtare dhe e lidh Kosovën me Malin e Zi, gjithashtu me rrugën 6 në drejtim të Shkupit madhe me korridoret të tjera ndërkombëtare “, tha Hamza.

Ai ka treguar po ashtu edhe për vlerën dhe kushtet e kontratës që sipas tij do të jenë të favorshme pasi do të jetë 1 përqind norma e interesit dhe se kredia do të ketë afatin prej 12 viteve.

“Ne sot nënshkruam marrëveshjen për një projekt që e kap vlerën prej 193 milion euro. Komponentët e financimit të këtij projekti janë . 71 milion euro nga BERZH, 80 milion euro nga Banka Evropiane për Investime që jemi në negociata po thuajse përfundimtare…38 milion euro do të jenë financim nga Qeveria e Kosovës. 3.2 milion janë grant para fal , nga korniza investive e Ballkanit perëndimor dhe 600 mijë euro janë nga BERZH. Kredia është me kushte jashtëzakonisht të volitshme ku norma e interesit është 1 përqind plus eurobot. Maturiteti është 12 vjeçar dhe tre vite janë ‘greis’ periudhë”, tha Hamza.

Sipas tij është një kredi për financimin e një projekti i cili sipas tij do të kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve të mira edhe për bizneset.

Ndërsa , ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se më nuk do të ketë stërzgjatje të këtij projekti.

“Nuk do të ketë stërzgjatje, pengesa sa i përket zhvillimit të këtij projekti që është me rëndësi të veçantë dhe do ta përfundojmë në kohën më të shpejt të mundshme dhe ta heqim prej hartës këtë rrugë , këtë segment të autostradë Prishtinë-Pejës. Që është stërzgjatur diku 10 vite”, tha Lekaj.

Drejtoresha e BERZh-it për Transport Sue Barrett tha se do të vazhdojë të mbështes Qeverinë e Kosovës në mbështetje financiare.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme nënkupton që IBRD-ja ka nënshkruar marrëveshjen e tretë në sektorin e rrugëve në Kosovë. Huadhëniet në sektorin rrugorë tashmë kanë arritur nivelin e 120 milion eurove. Ne jemi të kënaqur me këtë nivel të marrëveshjes do të vazhdojmë ta mbështesim financimin e projekteve infrastrukturore në Kosovë “, tha Barrett.

Exit mobile version