Site icon Telegrafi

Qeveria me plan për reforma në ekonomi

Nën udhëheqjen e ministrit të Financave Avdullah Hoti, u mbajt sot tryeza për Programin për Reforma në Ekonomi, e cila organizohet para përfundimit të Programit për Reforma në Ekonomi të cilin Kosova si çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor, e dorëzon në Komisionin Evropian në cilësinë e një shteti në rrugëtimin brenda procesit të Stabilizim Asociimit si partner i barabartë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se viti 2015 për Kosovën paraqet një moment të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit Evropian.

Gjatë vitit që lamë pas kemi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila tashmë është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës. MSA-ja është jo vetëm një kornizë për zgjerimin e dialogut politik por edhe e institucionalizon integrimin më të thellë tregtar me BE-në.

Ndërsa gjatë vitit 2014, Kosova ishte ftuar që të përfshihet në dialogun e strukturuar mbi qeverisjen ekonomike, si pjesë e pandashme e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional mes Kosovës dhe BE-së. Baza mbi të cilën zhvillohet ky dialog është Programi për Reforma në Ekonomi (Economic Reform Programme – ERP), dokument ky i cili për herë të dytë po përgatitet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ai gjithashtu theksoi se rëndësia e programit qëndron në faktin se ky dokument përcakton kriteret e planifikimit përmes së cilit arrihet ndërthurja e nevojës për mirëmbajtje të stabilitetit makro-fiskal, që është pjesa e parë e programit, dhe pjesa e dytë paraqet nevojën për të tejkaluar sfidat strukturore të ekonomisë.

“Ky program i bashkon instrumentet ekzistuese planifikuese që Qeveria ka në dispozicion përfshirë këtu: Kornizën Afat-mesme të Shpenzimeve me buxhetet vjetore që dalin nga kjo kornizë, Programin e Qeverisë dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim. Për më shumë, ky program i orienton këto dokumente drejt qeverisjes më të mirë ekonomike sipas kritereve për përafrim me standardet e BE-së”, tha Ministri Hoti.

Bartës i procesit të hartimit të këtij dokumenti është Ministria e Financave, ndërsa hartimi i dokumentit është koordinuar nga Zyra për Planifikim Strategjik (nga Zyra e Kryeministrit) si dhe Departamenti për Politika Ekonomike dhe Publike. Dokumenti është përgatitur bazuar në udhëzimet e para-caktuara të Komisionit Evropian.

Në këtë tryezë pjesëmarrës ishin Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ministri i Ministrisë së Administratës Publike Mahir Yagcilar, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza, përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë Ruud Vermeulen, zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj, zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë Izet Sadiku, zëvendësministri i Ministrisë së Financave Agim Krasniqi, zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të bizneseve dhe shoqërisë civile. /Telegrafi/

Exit mobile version