Site icon Telegrafi

Qeveria me masa të reja për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, ndalohet lëvizja në orare të caktuara dhe jo më shumë se dy persona (Dokument)

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar masat shtesë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe disa vendime të tjera të fushave të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në njoftimin për media thuhet se sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit COVID-19.

Vendimi parasheh masat si në vijim:

Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët.

Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/

Exit mobile version