Nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës që jetojnë në vendin tonë nuk po subvencionohen për tekste shkollore.
Edhe pas fillimit të vitit të ri shkollor, ata nuk janë pajisur me libra e materiale të tjera. Në mungesë të dokumenteve të Kosovës, prindërit e tyre nuk mund të aplikojnë në platformën eKosova për subvencionim.
E derisa kjo po konsiderohet padrejtësi nga njohës të sistemit të arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.
Një prind nga Medvegja i ka thënë KosovaPress-it, se nuk ka mundësi që vet të blejë librat për dy fëmijët e tij
Agimi, i cili flet në kushte anonimiteti tregon se dy fëmijët të cilët vijojnë mësimin në Prishtinë, ende nuk janë pajisur me libra. Ai tregon se ata kanë lindur në Kosovë, por ai vet është pajisur së fundmi me leje qëndrim.
“Ndihmë prej shtetit nuk kemi asgjë. As vjet, as sivjet nuk kanë investuar asgjë. Unë i kam dokumentet e Medvegjës, fëmijët janë të lindur këtu në Kosovë, edhe nuk ka asnjë gjasë se do t’i japin librat për fëmijë…Që dy vjet unë jam duke i paguar për fëmijët me parat e mia…Për këtë vit ende nuk kam arritur t’i sigurojë, ende nuk kam arritur të investojë (t’i blejë) librat….Shqetësuese është shumë, por nuk po ke ku qetësohesh”, deklaron ai për KosovaPress.
Që nga fillimi kur është hapur mundësia për aplikim të subvencionimit të teksteve shkollore, ai tregon se kanë njoftuar ministrinë e drejtorinë e shkollës por nuk kanë marrë përgjigje.
“Shkojmë në ministri, ata na thonë shko diku tjetër, drejtoria e shkollës ka thënë që duhet me iu dhënë, ministria po thotë që nuk iu takojnë se nuk i kanë dokumentet e Kosovës. Mirëpo, fëmijët janë të lindur e të rritur në Kosovë”, shton ai.
Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për KosovaPress, se praktika e subvencionimti të teksteve shkollore ka disa të meta.
“Praktika e subvencionimit pa dyshim që përkundër që qëllim mirë na ka dëshmuar edhe këtë vit që ka disa të meta brenda sistemit që shumë lehtë kthehen në padrejtësi për prindër dhe nxënës të cilët kanë qasje të kufizuar në platformë.
E cila është kjo qasje e kufizuar, pa dyshim janë ata prindër që nuk janë shtetas të Kosovës dhe të cilët e-Kosova nuk i njeh dhe për rrjedhojë aplikimi i tyre bëhet i pamundur, sikurse që është edhe e kundërta kur plot prindër dhe nxënës që nuk janë rezidentë dhe jo anëtar të shkollave në Kosovë, mirëpo të njëjtit përfitojnë nga kjo skemë. Ajo çka është e domosdoshme është që platforma të filtrojë nxënësit në bazë të listave të shkollave të pranuara nga ana e institucioneve arsimore”, deklaron ai.
Ai thekson se ka raste të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, kur diaspora aplikon ani pse fëmijët nuk vijojnë mësimin në Kosovë.
“Për ata prindër dhe nxënës që janë pjesë të shkollës, apo që për arsye të rezidencës nuk janë të përfshirë në platformë pa dyshim që është padrejtësi, për të cilën kërkohet llogaridhënie pasi që nuk është ndonjë risi. Rikujtoj që aplikimi për subvencionim tash është në vitin e dytë dhe ka plot mësime të mira dhe probleme që janë ballafaquar nga viti paraprak që do të duhej të kishin zgjidhje, sikurse edhe kjo e fundit që padyshim ai komunitet i prindërve në këtë rast të banorëve me prejardhje nga Lugina e Preshevës një trajtim më të dinjitetshëm dhe të barabartë në subvencionim dhe jo vetëm…
Në ekstremin tjetër ajo që na është dëshmuar janë aplikime nga banorët jo rezidentë të Kosovës, por që janë me nënshtetësi të Kosovës, platforma ia mundëson atë dhe ky fleksibilitet dhe kjo hapje e platformës karshi kujtdo që është prind dhe që ka nënshtetësi të Kosovës pa dyshim mund të keqpërdoret”, shton Qehaja.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste mësimore.
“Tekstet janë për fëmijët të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, por marrë parasysh se kemi numër të konsiderueshëm të fëmijëve sidomos këtu në shkollat në Prishtinë dhe Fushë Kosovës, të cilët janë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, edhe vitin e kaluar kemi gjetur një zgjidhje.
Besoj që edhe këtë vit do të furnizohen edhe ata dhe për këtë kemi qenë në bashkëpunim me AShI-në në mënyrë që të adresohet aplikimi i këtyre kujdestarëve ligjor. Por, e rëndësishme është që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste mësimore”, u shpreh ministrja Nagavci.
KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës për lehtësirat që po aplikohen për pajisje me dokumente të Kosovës nga banorët e Luginës së Preshevës, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.