Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me vëmendje dhe seriozitet i qaset gjendjes komplekse që ballafaqohet me problemet në Ohër.
Sipas Qeverisë, menaxhimi i keq disavjeçar në Ohër dhe projektet megalomane që ishin kërcënim për Liqenin dhe Parkun Kombëtar ishin arsye se pse UENSCO dërgoi mision vëzhgues në prill të vitit 2017, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Që nga fillimi i mandatit, Qeveria është e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve në këtë rajon, në bashkëpunim me sektorin komunal dhe qytetar”, njoftojnë nga Qeveria.
Ata shtojnë se ky propozim vendim që nuk është përfundimtar duhet të jetë stimul për të gjitha institucionet të punojnë me intensitet për ta mbrojtur trashëgiminë unikate botërore.
“Mbetet ende punë ndërsa në periudhën e ardhshme përqendrimi do të jetë te përmbushja e rekomandimeve tjera të UNESCO-s dhe kjo duhet të realizohet për shkak se trashëgimi kulturore e rajonit të Ohrit nuk i përket vetëm neve, por gjithë botës tonë”, thuhet në fund të njoftimit të Qeverisë./Telegrafi/