Site icon Telegrafi

Qeveria Kurti vazhdon ta kundërshtojë Mini-Shengenin

Arkiv

Qeveria Kurti vazhdon ta kundërshtojë Mini-Shengenin ballkanik. Në ekzekutiv thonë se janë pro bashkëpunimin rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë dhe mos zëvendësimit të projektit të BE-së.

Por, mbështetje ndaj Mini-Shengenint po kërkon Maqedonia e Veriut, e cila e sheh këtë nismë profitabile për të gjithë rajonit. Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Mini-Shengeni nuk është çështje prioritare për vendin.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke kundërshtuar këtë nismë, thotë për KosovaPress se çështja e Mini-Shengenit ballkanik nuk ka qenë asnjëherë temë në ekzekutiv.

“Për Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk është ri aktualizuar  Mini-Shengeni, për shkak se nuk ka qenë aktual asnjëherë. Ju e dini qëndrimin e qeverisë sa i përket projektit të Mini-Shengenit, i cili meqenëse vendlindjen e ka në Novi Sad më saktë është t’i themi ideja e zonës së Novi-Sadit. Ne si qeveri dhe si shtet jemi të hapur për bashkëpunim rajonal, mirëpo vetëm mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Po ashtu jemi të hapur për bashkëpunim rajonal në atë mënyrë që ai nuk e zëvendëson projektit e BE-së dhe integrimit tonë në të. Por veçse e fuqizon dhe avancon përpjekjen e shtetit tonë pro Ballkanit për anëtarësim në BE”, thotë ai.

Ai arsyeton edhe miratimin e dy nismave nga Qeveria Kurti, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo çfarë po bëjmë ne është në kuadër të procesit të Berlinit, i cili si proces ka lindur në Berlin e mbështetët ka zyra e kancelarës Merkel dhe ka për synim dhe qëllim mbështetjen e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE. Gatishmëria jonë për të qenë të hapur për bashkëpunimin rajonal është e tillë që t’i shërbejë Kosovën në integrim të BE-së dhe jo të zëvendësojë me ide të që kanë lindur në Novi Sad”, shton ai.

Ndërsa, përkrahje nga Kosova për këtë nismë rajonale po kërkon zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.

“Çdo iniciativë e cila do të rritë mundësitë për qytetarët tonë të Ballkanit Perëndimor mendoj se duhet të përkrahet. Duhet të shohim se cili është benifiti ekonomik dhe mendoj se zanafilla e bashkëpunimit rajonal ngërthen në vete mundësi dhe benefite ekonomike. Prandaj, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor i shoh të njëjtë, të barabartë, sepse vetëm ashtu mund të ecim përpara në sfidat që na presin”, thotë ai për KosovaPress.

Jo prioritare për Qeverinë këtë çështje po e sheh Emir Abrashi nga Demokracia Plus. Megjithatë, ai nuk e sheh të “vdekur” si ide Mini- Shengenin ballkanik.

“Sa i përket çështjes së Mini-Shengenit unë nuk mendoj që është çështje e vdekur, megjithatë nuk është çështje prioritare, as për qeverinë as për qytetarin e Kosovës. Çështjet e bashkëpunimit rajonal janë jashtëzakonisht të rëndësishme, prandaj unë pres që qeveria t’i shqyrtojë të gjitha nismat për themelimin e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, sa i përket çështjes konkrete nuk është që pres nga qeveria ndonjë hap tash për tash”, deklaron Abrashi.

Ideja e Mini-Shengenit Ballkanik është prezantuar në fund të vitit 2019, derisa në fillim i gjithë spektri politikë në Kosovë është shprehur kundër saj. Ndërsa, në marrëveshjen e Uashingtonit, ish-kryeministri Hoti në njërën ndër pikat ishte zotuar për mbështetje karshi Mini-Shengenit./kp/Telegrafi/

Exit mobile version