Nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një kosto shtesë financiare me rastin e regjistrimit të automjeteve – ata do të detyrohen të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë për ‘Tiketën Ngjitëse’.
Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar marrëveshje me një kompani për ofrimin e Tiketës Ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar ashpër kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, duke thënë se me këtë vendimi përfitojnë bizneset private dhe individët e lidhur me të.
Ai madje ka kërkuar nga qytetarët të protestojnë.
Por zëvendësministri i MPHI-së, Hysen Durmishi, si kundërpërgjigje ka thënë se kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018, në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj.
“Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat”, tha ai.
Haradinaj e ka demantuar Durmishin duke e quajtur manipulim dhe dezinformatë.
Sipas tij, tenderi për taskën e re ka qenë i anuluar.
“Pse po nënshkruani tenderë të paligjshëm dhe mundoheni të mashtroni që i keni gjetë”? “Po, i keni gjetë, por me vendimet për anulim”, tha tutje.
“Qasja juaj opozitare e manipulimit dhe dezinformimit është e rrezikshme për shtetin e Kosovës, sidomos kur ju sot jeni duke e udhëhequr shtetin”, u shpreh Haradinaj.
Telegrafi ka siguruar vendimin e fundit të Qeverisë Kurti, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës, në të cilën shihet se është anuluar raporti i datës 04.10.2019, të komisionit për vlerësimin e ofertave për shërbimin me “Tiketë Ngjitëse”.
Arsyetimi
Vendimi i referohet anulimit të Raportit të komisionit për vlerësimin e ofertave për shërbimin me “Tiketë Ngjitëse”, që si akt real nuk mund të anulohet si akt administrative, dhe i tillë ky vendim bie në kundërshtim me LPPA.
Në lidhje me vendimin e datës 04.10.2019, me datë 19.11.2019, është shpallë edhe një njoftim ne uebfaqen e ministrisë për anulimin e procesit.
Njoftimi i datës 19.11.2019, është konstatuar se është në kundërshtim me dispozitat e LPPA, nga Opinioni Këshillimor i Zyrës Ligjore të Kryeminsitrit./Telegrafi.