Pensionistët janë duke i numëruar ditët deri në gjetjen e një zgjidhje për kërkesat e tyre. Zotohen se do të dalin sërish në protestë nëse nuk ka rritje lineare prej 3,500 denarëve dhe derisa pensioni minimal nuk bëhet 18 mijë denarë. Por, këto kërkesa janë të papranueshme edhe për kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Ai tha se Fondi Pensional nuk ka kapacitet të paguaj edhe 220 milion euro shtesë në vit për këto kërkesa. Madje, presin nga Gjykata Kushtetuese të konfirmojë nëse rritja lineare shkel të drejtat e pensionistëve të tjerë, të cilët kanë paguar kontribute më të larta dhe kanë stazh më të lartë pune.
“Pensioni është e drejtë e marrëdhënies së punës, nuk mund ta barazoni dikë që ka paguar 15 vite stazh kontribute me pagë minimale me dikë që ka paguar 30 vjet kontribute stazhi me shuma më të larta. Ajo nuk është e njëjtë! Pensioni krijohet nga stazhi i punës dhe lartësia e pagës, është kategori ekonomike. Nëse do të realizohej ajo kërkesë, për Fondin Pensional do të ishte ngarkesë shtesë me 220 milion euro në vit. Nuk do të mbaj kjo!”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kryeministri Kovaçevski tha se nuk mund të krahasohet rritja e pensioneve me rritjen e pagave prej 78% të funksionarëve të shtetit, prej të cilëve 44 pjesëtarë të ekzekutivit dhe mbi 1 mijë gjykatës, prokurorë, krerë komunash dhe funksionarë të tjerë institucionesh kanë përfituar nga vendimi Gjykatës Kushtetuese. Konstatimin e kreut të Qeverisë e kundërshton edhe raporti i Institutit për hulumtime ekonomike dhe politike “Finance Think”. Sipas kësaj organizate pagat e funksionarëve duhet të kthehen në gjendjen fillestare.
“Në një pjesë e rëndësishme të retorikës nxitëse se pagat mund të rriten pa rritur produktivitetin dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe heshtja e mëvonshme nga ana e Qeverisë, e cila shkriu vendimin për rritjen e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve, që çoi në rritjen e tyre kumulative prej 78%.” Për këtë të fundit, i bëjmë thirrje Qeverisë që të gjejë një mekanizëm urgjent dhe të menjëhershëm për të rikthyer gjendjen fillestare të pagave të tyre dhe për të hapur një dialog, në kuadër të të cilit do të arrihet një zgjidhje e pranueshme për një rritje të arsyeshme të pagave të funksionarëve të shtetit.” – “Finance Think” Institut për Hulumtime Ekonomike dhe Politike.
Lidhja e Shoqatave të Pensionistëve është kundër protestave, kurse mijëra pensionistë vazhduan të protestojnë për një pleqëri më dinjitoze. 330 mijë pensionistë sa janë aktualisht, 95 janë me pension minimal 12,500 denarë. Parashikimet e autoriteteve janë që rritja për të gjithë të bëhet 6% nga shtatori. Por, kërkesat e vazhdueshme kanë bërë që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me këshillin iniciues të formoj një grup pune për të specifikuar detajet për një harmonizim më të lartë të pensioneve./Alsat/