Site icon Telegrafi

Qeveria kundër nismës së LDK-së për ndryshimin e Pakos Fiskale 2.0

Koalicioni qeverisës ka kundërshtuar nismën ligjore të LDK-së për ndryshimet në tri ligje, të cilat kanë të bëjnë me Reformën Fiskale 2.0, të nisur nga ish-Qeveria Mustafa, por e mbetur në gjysmë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.

Nisma e LDK-së ishte ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Ligji për Tatimin në Vlerën e Shtuar.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se në vitin 2017 është miratuar pakoja e dytë fiskale, ku janë përgatitur 22 masa fiskale dhe në kuadër të këtyre masave përfshihen plotësimi dhe ndryshimi në kuadër të këtyre tri ligjeve bazike.

“Grupi parlamentar i LDK-së ka ndërmarrë këto tri nisma ligjore për të zbatuar masat 13 dhe 14 të pakos fiskale 2. Më konkretisht, në ligjin për të ardhurat korporatave është paraparë që tatimi i mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore të hiqet, i cili ka qenë deri tash 3 për qind, dhe të rregullohet mënyra e tatimit të kompanive të sigurimit, të cilat deri tash kanë paguar 5 për qind të tatimit të hyrave bruto, ndërsa tash me këtë projektligj ato do të kalojnë në tatimin e rregullt sikur çdo kompani tjetër në Kosovë. Në ligjin për TVSH-në është paraparë që të njihet çështja e TVSH-së për kompanitë e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe te zbatimi i TVSH-së për tregti me ari brenda vendit, kështu që TVSH-ja të zbatohet vetëm në vlerën e shtuar të arit të përpunuar”, tha Hoti.

Ai shtoi se plotësim-ndryshimet në këto ligje vijnë pas rezultateve të dhëna Reforma Fiskale 1.0.

“Me këtë Ligj kanë përfituar bizneset dhe gjatë vitit 2016 vlerësohet se janë 47 milionë euro që kanë përfituar bizneset private në Kosovë. Bizneset e mëdha janë rritur në Kosovë si rezultat i kësaj pakoje me 12 për qind. Pra, numri i kompanive të mëdha është rritur nga 221 në 248 dhe gjithashtu punësimi është rritur me rreth 5 mijë persona në këto ndërmarrje. Edhe qytetarët kanë përfituar, të cilët kanë përfituar rreth 24 milionë euro nga ulja e TVSH-së nga 16 në 8 për qind për një numër të mallrave dhe shërbimeve”, tha Hoti.

Lexo po ashtu Mungesa e ligjeve pengon zbatimin e Pakos Fiskale 2.0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ish-qeveria tash po mundohet ta korrigjojë veten.

“Është ditur që tatimi në burim kur bëhet fjalë për prodhimin vendas nuk mund të vendoset te secili subjekt që kryen një pjesë të procesit, sepse në fund i ngarkohet çmimit. Edhe pse prodhimi i ka disa cikle derisa të dalë në treg, e ne e dimë që këto cikle i kryejnë personat fizikë apo kompani të caktuara, ama në fund mbetet i njëjta produkt, produkti nuk rritet rrugës. Si shembull praktik, perimet ose vezët nuk mund të shiten pa një ambalazh, një kuti kartoni, nëse tatojmë në burim edhe atë që prodhon, edhe atë që sjell plehun kimik, edhe ujitjen, edhe në fund atë që shet ambalazhe, perimet ose vezët ose do të shiten nën kosto pa fitim, ose do të kenë çmim tepër të lartë në krahasim me importin dhe nuk do të jenë konkurruese në treg”, tha Kurti.

Kjo iniciativë e LDK-së, hasi në kundërshtimin e Qeverisë dhe deputetëve të koalicionit qeverisës. Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ministria që ai drejton i ka përgatitur draftet e këtyre ligjeve, dhe janë dërguar në shqyrtim në FMN dhe janë lëshuar në diskutim publik. Ai ka kërkuar që të priten ligjet e Qeverisë që janë të draftuara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Kur jemi të politikat fiskale duhet të kemi në konsideratë edhe politikat fiskale të vendeve të regjionit. Politikat fiskale janë veç një segment, të cilët kontribuojnë në ambientin e të bërit biznes, të cilët kontribuojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nuk janë element i parëndësishme. Nëse shikojmë normën e të ardhurave të korporatave del që të gjitha vendet e regjionit e kanë këtë normë, aktualisht në 9 dhe 10 për qind. Nëse ne e ngritim normën e tatimit në fitim dhe e shikojmë edhe disavantazhet që kemi si Kosovë dhe krijojmë edhe enjë ngarkesë shtesë atëherë nuk do të krijojmë ambient për tërheqjen e investimeve direkte. Përafërsisht, Kosova ka politika të ngjashme me vendet e regjionit, nuk do të thotë që e ka unike, por e ka të ngjashme”, tha ai.

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka kërkuar që të mos miratohen këto projektligje, duke thënë se janë mesazh jo i mirë për investitorët e huaj.

“Grupi parlamentar i PDK-së e përkrah rekomandimin e Qeverisë që të mos miratohen këto projektligje, sepse miratimi i tyre është një mesazh jo i mirë për bizneset dhe investitorët. Nëse për çdo muaj shkojmë në plotësim-ndryshim të ligjeve, atëherë kjo do të jetë një ngarkesë përgjithësisht për sistemin tatimor për Administratën Tatimore dhe do të shkaktonte një pasiguri juridike tek investitorët e huaj dhe janë sfiduese për bizneset vendore”, u shpreh Hadërgjonaj.

Edhe shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Ahmet Isufi, e vlerësoi hap të ngutshëm këtë veprim të LDK-së, duke u shprehur kundër.

“Meqë këto tri projektligje janë në agjendën qeveritare, atëherë s’e di pse ka nevojë të ketë iniciativa të vilat e dublifikojnë punën tonë. Edhe ashtu kemi mjaft punë tjera në Kuvend, prandaj konsideroj se duhet pritur që t’i sjellë Qeveria në Kuvend, pastaj t’i bëjmë plotësim ndryshimin e këtyre ligjeve, të cilat do të mund pastaj edhe të zbatohen”, tha Isufi.

Pushtetit iu bashkua edhe partia opozitare, PSD. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Dardan Sejdiu, tha se janë kundër pasi problemi nuk po trajtohet në thelb, por vetëm po bëjnë fizkulturë.

“Duke e pasur parasysh që Qeveria tashme këto tri ligje i ka dërguar në FMN për shqyrtim dhe duke pasur parasysh që ka ekzistuar një diskutim që të mos bëjmë këso lloj diskutimesh, PSD do të votojë kundër, duke u nisur vetëm prej premisës së thjesht se po bëjmë fizkultura të vogla në sistemin tatimor pa e trajtuar problemin në thelb. Problemi në thelb nuk është sistemi fiskal, e as ligjet, por këto që po i shkruani apo mundoheni t’i shkruani. Problemi në thelb është sistemi të cilin e kemi vendosur në këtë vend tash e 18 vite”, tha Sejdiu.

Edhe Nisma Socialdemokrate nuk ka mbështetur plotësim-ndryshimin e këtyre tri ligjeve. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version