Telegrafi

Qeveria kryen gjysmën e punës në reformimin e administratës publike

Qeveria e Kosovës ka hartuar një mori strategjish dhe dokumentesh në mënyrë që procesi i reformimit të administratës publike, ndonëse i paraparë të përfundojë brenda këtij muaji, të përmbyllet sa më shpejtë. Kjo u bë e ditur sot, në sesionin e parë të debatit dyditor lidhur me reformën në Administratën Publike në Vend, të organizuar nga Ministria e Administratës Publike.

Se ky proces po ecën me hapa të sigurt, u shpreh i bindur ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar, i cili tha se në mes shumë aktiviteteve të tjera të qeverisë karshi këtij procesi, është hartuar edhe raporti gjithëpërfshirës mbi zbatimin e strategjisë së reformës së administratës.
“Gjetjet e këtij raporti jo vetëm që kanë ndihmuar në marrjen e informatave të detajuara për tërë procesin reformues, por kanë mundësuar edhe identifikimin e sfidave për t’u adresuar në strategjinë e re. Në saje të këtyre të gjeturave dhe rezultateve, rreth 70 për qind të aktiviteteve të planit të veprimit për reformë janë përmbush. Ne kemi iniciuar përcaktimin e kornizës strategjik të reformës së administratës publike dhe hartimin e dokumenteve të nevojshme që dalin nga korniza strategjike. Madje është shkuar edhe një hap më tutje, duke kaluar kështu nga reformimi në modernizim të administratës publike”, tha Jagcilar.

Ministri i resorit theksoi se Qeveria po ashtu ka hartuar strategjinë për modernizimin e administratës publike, strategji kjo e cila, siç tha ai, ka në fokus qytetarin dhe përmirësimin e shërbimeve që i ofrohen atij.

I pranishëm në takimin e sotëm ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës Samuel Zhbogar, i cili tha se tashmë janë bërë dy vite që kur BE dhe Kosova janë duke punuar së bashku në këtë proces, duke e vlerësuar si proces me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës. “Dy vite më parë ne filluam të punojmë së bashku në kapitullin e ri të Kosovës për në procesin e integrimeve evropiane, me qëllim in që të aktivizojmë dhe ta forcojmë administratën publike në Kosovë. Një administratë publike përgjegjëse, efikase, moderne është kurrizi i një shoqërie funksionale, në gjendje që të punojë për shoqërinë dhe bizneset. Pa të, arbitratireti dhe paaftësia minojnë besimin në shtet dhe kontrata shoqërore thyhet”, deklaroi Zhbogar.

Pasi që e vlerësoi si pozitiv angazhimin e kryeministrit Isa Mustafa në këtë proces, Zhbogar tha se “reforma publike në administratë nuk është vetëm për një sektor të Qeverisë, por është thelbësore për krejt reformat dhe proceset për ndryshim me të cilat Kosova dhe BE- ja janë të angazhuar së bashku: zhvillimi ekonomik, demokracia dhe sundimi i ligjit”.

Aktivitetet e realizuar nga takimi i kaluar i Grupit të veçantë, siç njoftoj Jagcilar, përfshijnë Ligjin për procedurat e përgjithshme administrative, që tashmë është proceduar në Qeveri dhe pritet edhe aprovimi përfundim tar nga kuvendi. Po ashtu, siç tha Jagcilar, është hartuar edhe projektligjin për të gjitha pagat e sektorit publik, strategjia e trajnimeve për nëpunësit civil, si dhe është hartuar katalogu i vendeve të punës për nëpunësit civil. /Telegrafi/