Telegrafi

Qeveria konfirmon, pagat u rritën vetëm 23%

Kjo përqindje është në kundërshtim me deklaratat e zyrtarëve më të lartë të Qeverisë së Kosovës, të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili konfirmonte vazhdimisht se pagat në arsim janë ngritur 50 për qind dhe në shëndetësi 30 për qind, sektorë këto që përbëjnë numrin më të madh të shërbyesve civilë në vend.

Në bazë të këtyre premtimeve, pagat në mesatare është dashur të ngrihen rreth 40 për qind. Mirëpo, sipas KASH-it, pagat nuk pritet të rriten shumë as gjatë viteve në vijim, ku shpenzimet për paga dhe mëditje vitin 2012 do të jenë për 16 milionë euro më të larta se këtë vit, ndërsa në vitin 2013 do të jenë për 4 milionë më të larta se një vit më parë dhe në vitin 2014 pagat dhe mëditjet do të rriten vetëm pesë milionë euro, krahasuar me vitin 2013, shkruan Zëri.

Edhe kryesindikalisti i Kosovës, Haxhi Arifi, pohon se pagat e shërbyesve civilë nuk u rritën ashtu siç u premtua. Sipas tij, as në arsim as në shëndetësi nuk u janë rritur pagat 50 për qind, përkatësisht 30 për qind.

Ndërsa profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se ndërprerja e programit të FMN-së me Kosovën këtë vit e ka arritur efektin e vet, prandaj, siç thotë ai, tash dëgjohen zërat qeveritarë se pagat janë rritur 20 për qind, e jo 30 e 40 për qind. “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2012-2014 është një ftesë e Qeverisë për FMN-në për bisedime, pasi që pagat janë rritur 20 për qind, e jo 30 e 40 për qind”, shprehet Sadiku.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk i ka prezantuar FMN-së argumente të mjaftueshme për rritje pagash, ndonëse në 6-7 vjeëtët e fundit pagat e shërbyesve civilë nuk kanë pësuar ngritje. “Qeveria e Kosovës ka mundur ta argumentojë se i duhet një administratë profesionale për proceset integruese të vendit, prandaj, pagat duhet të jenë motivuese për shërbyesit civilë”, është shprehur Sadiku.

Nga ana tjetër, komisionari i BE-së për Zgjerim, Stephan Fule, në Forumin për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur javën e kaluar në Luksemburg, ka deklaruar se BE-ja është e brengosur lidhur me qëndrueshmërinë afatgjatë të buxhetit dhe parashikueshmërinë e politikave ekonomike. “Mosrespektimi i Marrëveshjes “Stand-By” me FMN-në është dëmtues. Zbatimi i programit të monitoruar nga stafi do t’i japë Kosovës rast të ri për rikthimin e kredibilitetit”, ka theksuar ai.

Rritje e vogël e shpenzimeve për paga, në vitin 2010 do të shpenzohen 311 milionë euro, 2011= 383 milionë euro, 2012= 399 milionë euro, 2013 = 403 milionë euro dhe 2014= 408 milionë euro. /Telegrafi/