Telegrafi

Qeveria kërkon nga Aleksandar Nikovski t’i kthejë 168 mijë euro në buxhetin e Maqedonisë

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski kërkon nga Nikovski të kthejë 108 mijë euro për honorarin trevjeçar, të cilat i ka marrë nga Qeveria e mëparshme të Gruevskit, plus 60 mijë euro, të cilat i ka harxhuar për udhëtime dhe restorante, para të cilat gjithashtu kanë qenë të miratuara në llogari të buxhetit

Qeveria kërkon që Aleksandar Nikovski, i biri i ish-diplomatit Risto Nikovski, i cili ka qenë i angazhuar si këshilltar në Qeverinë e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski të kthejë 168.000 euro në buxhetin, pasi marrëveshja për angazhimin e tij si këshilltar është e pavlefshme, të cilën e ka nënshkruar shefi i kabinetit, Martin Protogjer.

“Marrëveshja është e pavlefshme dhe Nikovski duhet t’i kthejë të gjitha paratë në vlerë prej 108 mijë eurosh dhe ta kompensojë dëmin prej 60 mijë eurosh. Ai ka shpenzuar gjithsej 60 mijë euro për udhëtime dhe restorante, ndërsa 108 mijë eurot i ka marrë si honorar për tre vite. Këtë marrëveshje e ka nënshkruar Martin Protogjer, kurse ai si shefi i kabinetit, nuk mund të jetë nënshkrues i marrëveshjeve. Marrëveshja nënshkruhet ose nga sekretari i përgjithshëm ose nga kryeministri”, deklaroi për “Post.mk” sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski.

Ndryshe, Nikovski para dy ditëve nga Qeveria e Zoran Zaevit, kërkoi që t’i paguajë honorar si këshilltar i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, për muajt maj, qershor dhe korrik të vitit 2017, në vlerë prej 9 mijë eurosh, si dhe t’i shlyejë shpenzimet e tij që i ja bërë në muajin maj edhe atë në vlerë prej 450 eurosh.

Edhe pse Gruevski nga janari i vitit 2016 më nuk është kryeministër, të gjitha honorarët deri në maj të vitit 2017 në vlerë prej 3 mijë eurosh në muaj rregullisht i ka paguar pasardhësi i tij Emil Dimitriev. Qeveria u përgjigj se Nikovskit nuk do t’i paguhen honorarët për muajt në të cilët nuk ka pasur asnjë angazhim dhe i bëri thirrje që paratë e tij t’i kërkojë në gjykatë./Telegrafi/