Site icon Telegrafi

Qeveria: Kemi harxhuar tre herë më pak se pushteti i kaluar

Qeveria e Maqedonisë përmes një njoftimi për media thekson se kanë vendosur standarde për llogaritjet dhe harxhimet e funksionarëve dhe se përbërja aktuale e qeverisë ka harxhuar tri herë më pas se qeveria e kaluar, sa i përket harxhimeve për shërbime hotelierike.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se ata janë shembull për punën e tyre në të mirë të qytetarëve, ndërsa akuzojnë pushtetin e kaluar për jotransparencë për harxhimet e parave të popullit, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Në vend të faturave të larta dhe harxhimeve joproduktive, sot në raportet publike ka informacione për bifetë nëpër institucione, për kafetë e shfrytëzuara dhe pirjet nga ana e të punësuarëve, anëtarë të komisioneve, grupe pune, përfaqësues të sindikatave, kompanive, shoqatave, ambasadorëve dhe të tjerë. Në disa ministri të gjitha harxhimet nënshkruhen dhe miratohen nga ministri, të cilat më pas publikohen në raport. Kjo është arsyeja pse tek disa bartës të funksioneve, harxhimet janë më të larta”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ata më tej shtojnë se përbërja aktuale e qeverisë ka harxhuar tre herë më pak se qeveria e kaluar në gjashtë muajt e parë, sa i përket harxhimeve për shërbimet hotelierike.

Nga qeveria në fund shtojnë se janë tërësisht të fokusuar në harxhimin e parave të qytetarëve dhe se do të vendosin praktikë të re, ku llogaria, racionaliteti dhe produktiviteti do të jenë në rend të parë./Telegrafi/

Exit mobile version