Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 48 për qind të Planit Strategjik dhe Operacional për periudhën janar-dhjetor 2022.
Lëvizja FOL ka bërë monitorimin e këtij plani për këtë periudhë të 15 Ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit, e cila ka evidentuar se Zyra e Kryeministrit nga 255 aktivitete të parapara në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë, ka realizuar 131 aktivitete, ndërkaq 94 nuk i ka realizuar fare.
Kurse, Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka paraparë 118 aktivitete në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë, mirëpo nuk kanë ofruar përgjigje se sa nga këto aktivitete janë realizuar për vitin 2022.
Mexhide Demolli- Niman nga Lëvizja FOL, tha se Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Arsimit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Kulturës, Ministria për Komunitete dhe Kthim kanë planifikuar aktivitete afatgjata, të cilat kanë filluar në vitin 2022 ndërkaq realizimi i tyre do të vazhdojë në vitet në vijim.
“Nga 2 mijë 937 aktivitete të parapara për këtë periudhë kohore janë realizuar 1 mijë e 808 aktivitete apo shprehur në përqindje rreth 48 për qind dhe 1 mijë e 129 aktivitete të parapara për këtë periudhë nuk janë realizuar apo 52 për qind të Planit Strategjik Operacional të Qeverisë nuk është realizuar. Zyra e Kryeministrit për periudhën janar – dhjetor ka paraparë të realizojë 255 aktivitete, këto të shtrira në rreth 78 objektiva. Nga 255 aktivitete, ka realizuar 131, ndërkaq 94 nuk i ka realizuar”, theksoi Demolli-Namani, raporton kp.
Sipas FOL këto aktivitetet janë paraparë në kuadër të 38 objektivave: 15 objektiva janë realizuar 100 %, 8 objektiva janë realizuar nga 50 % deri ne 99 %, 7 objektiva janë realizuar nga 1 deri ne 50 %, 8 objektiva të parapara për vitin 2022 nuk kanë filluar të realizohen.
Demolli-Namani ka thënë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nga 201 aktivitete të parapara në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë, ka realizuar 101 aktivitete ndërkaq 100 nuk i ka realizuar.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e cila ka paraparë 201 aktivitete, ndërkaq ka realizuar 101 aktivitete dhe 100 të tjera nuk ka realizuar. Këto aktivitete janë paraparë në kuadër të 27 objektivave, të cilat janë realizuar 100 për qind, 10 objektiva nga 50 deri 99 për qind dhe 10 objektiva të tjera janë realizuar deri në 50 për qind dhe 19 objektiva të parapara për vitin 2022 nuk janë realizuar fare”, theksoi ajo.
Në bazë të raportit të FOL, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapesinor dhe Infrastruktures nga 486 aktivitete të parapara në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë, ka realizuar 255 aktivitete ndërkaq 231 nuk i ka realizuar.
Po ashtu edhe Ministria e Ekonomisë nga 236 aktivitete të parapara në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë, ka realizuar 170 aktivitete ndërkaq 66 nuk i ka realizuar.
Ndërsa, Ministria e Punëve te Brendshme nga 416 aktivitete të parapara në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë, ka realizuar 264 aktivitete ndërkaq 152 nuk i ka realizuar. /KP/